Prizren, 15 tetor 2025
Në kuadër të shënimit të “Muajit Tetor – Muajit të Vetëdijesimit për Kancerin e Gjirit”, të mërkurën në amfiteatrin e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, ndërtesa e QRSHP, u mbajt aktiviteti kryesor sensibilizues. Në këtë ngjarje morën pjesë menaxhmenti i spitalit, shefat e reparteve, kryeinfermieret, profesionistë shëndetësorë, mjekë, infermiere, punonjëse të administratës, si dhe përfaqësuese të organizatës joqeveritare “Renesanca”.

Aktiviteti u hap nga znj. Delvina Hoti Shpejti, e cila përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi drejtorin dhe menaxhmentin e spitalit për përkrahjen e aktiviteteve të organizuara në kuadër të “Muajit Rozë”, duke theksuar rëndësinë e informimit dhe ndërgjegjësimit të grave dhe vajzave lidhur me kancerin e gjirit.

Dr. Fatmire Braha, kryetare e Këshillit Profesional, në fjalën e saj vuri në dukje se Tetori është një fushatë ndërkombëtare që synon të rrisë vetëdijen dhe edukimin për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje, e cila mbetet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore për gratë në mbarë botën.

MSc. Osman Hajdari, drejtor ekzekutiv i spitalit, foli për shërbimet që spitali ofron në përgjithësi, në fushën e parandalimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit, në veçanti. Ai falënderoi të gjithë punonjësit shëndetësorë për angazhimin e tyre të përditshëm dhe premtoi përkrahje të vazhdueshme dhe përkushtim për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve për kujdesin shëndetësor të popullatës.

Dr. Arta Zhuri Dula, shefe e repartit të Radiologjisë, prezantoi të dhëna dhe statistika të rëndësishme mbi diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, duke nënvizuar rolin kyç të radiologjisë në zbulimin në kohë të kancerit të gjirit.

Një moment i veçantë dhe emocional i aktivitetit ishte fjalimi i Burbuqe Gashit, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së infermierisë dhe vetë një e mbijetuar nga kanceri i gjirit, e cila ndau përvojën e saj personale dhe bëri apel për kontrolla të rregullta mjekësore, duke theksuar se zbulimi i hershëm shpëton jetë.

Violeta Pirana, drejtoreshë e OJQ-së “Renesanca”, prezantoi aktivitetet dhe nismat që shoqata zhvillon në funksion të vetëdijesimit dhe mbështetjes për gratë që përballen me këtë sëmundje, duke falënderuar edhe spitalin për bashkëpunim në aktivitetet që janë në të mirë të grave dhe popullatës në përgjithësi.
Ky aktivitet shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në drejtim të informimit dhe ndërgjegjësimit publik, me theks të veçantë te rëndësia e parandalimit, kontrollit të rregullt dhe trajtimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Lexo Komentet