Data: 04-02-2026 24 orë Emergjenca kontakto numrin +383 45 104 230

  • Drejtoria

    +383 29 243 134
  • Rruga Shkronjat

    20000, Prizren
  • Emaili

    spitali.prizren@rks-gov.net

Ambasadori i Shqipërisë ndan mirënjohje për Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit

Prizren, 27 janar 2026

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitija, ka vizituar të martën Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ku ka ndarë një mirënjohje në shenjë falënderimi për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Qarkut të Kukësit.

Ambasadori Malaj është pritur nga drejtori ekzekutiv i spitalit, z. Osman Hajdari, së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues, të cilët e kanë njoftuar atë me gjendjen aktuale, të arriturat dhe objektivat e institucionit.

Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm, Osman Hajdari, e ka vlerësuar vizitën e ambasadorit shqiptar si tejet të rëndësishme.

“Kjo vizitë nuk ka vetëm karakter njerëzor, por edhe kombëtar. Ajo përfaqëson jo vetëm një mirënjohje për punën tonë, por edhe një obligim shtesë për të punuar më shumë dhe për të rritur bashkëpunimin ndërinstitucional mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët tanë. Ky është një vlerësim i drejtpërdrejtë për misionin dhe kontributin e punëtorëve shëndetësorë dhe për rolin e spitalit si institucion kyç në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për ata të Shqipërisë. Kur është në pyetje shëndeti, ne nuk kemi kufij,” tha drejtori Hajdari.

Ai falënderoi gjithashtu stafin shëndetësor për kontributin e dhënë në shërbimin ndaj pacientëve nga Shqipëria, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2025 në emergjencë janë ofruar 370 shërbime, janë hospitalizuar 719 pacientë, janë realizuar mbi 719 shërbime ambulantore, 3,261 vizita ambulantore të rregullta, si dhe shërbime të vazhdueshme për 14 pacientë të dializës.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitija, ka falënderuar secilin mjek, infermier dhe anëtar të stafit të këtij spitali për shërbimet e ofruara ndaj pacientëve dhe për ndihmën e vazhdueshme ndaj qytetarëve nga Republika e Shqipërisë, por edhe Republika e Shqipërisë për qytetarët e Kosovës.

“Faleminderit jo vetëm për kontributin tuaj sot, por edhe për solidaritetin historik, veçanërisht në vitet e vështira të fundviteve ’90. Është e qartë se e gjithë kjo punë bazohet në përkushtimin tuaj të përditshëm dhe të palodhshëm ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, veçanërisht ndaj qytetarëve nga veriu i Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë me Republikën e Shqipërisë është i natyrshëm dhe vëllazëror,” tha ministri Vitija, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur Spitalin e Prizrenit në realizimin e projekteve të ardhshme.

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, e cilësoi vizitën dhe ndarjen e mirënjohjes për spitalin e prizrenit si një moment të veçantë për kontributin e dhënë në shërbim të qytetarëve të Shqipërisë.

“Në emër të institucioneve të Qeverisë së Shqipërisë, në emër të familjeve që kanë parë të dashurit e tyre të shëruar falë jush, në emër të lidhjes historike vëllazërore që na bashkon – Prizrenit tonë të dashur dhe maleve që na rrethojnë si krahë vëllazërie – ju shprehim mirënjohjen më të thellë. Ju jeni krenaria jonë e përbashkët. Sot jam këtu si një shqiptar për të përcjellë falënderimin e madh të kombit tim dhe për të ndarë këtë mirënjohje për Spitalin e Prizrenit, menaxhmentin dhe të gjithë punëtorët e tij për kontributin ndër vite në shërbim të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, veçanërisht atyre nga Qarku i Kukësit, Hasi dhe Malësia,” theksoi ambasadori Malaj.

Në përfundim, ambasadori Malaj i ka dorëzuar drejtorit ekzekutiv mirënjohjen për shërbimet e ofruara, ndërsa nga ana e tij, drejtori Hajdari i ka ndarë ambasadorit një mirënjohje falënderimi për respektin dhe mbështetjen e treguar ndaj spitalit dhe punëtorëve të tij.

Lexo Komentet

Comments are closed.