Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, Dr. Shefki Xharra, në cilësinë e ushtruesit të detyrës, së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues – Dr. Fatmire Braha, kryetare e Këshillit Profesional, dhe MSc. Sami Ahmeta, drejtor i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta – të martën priti në takim përfaqësues të CIMIC-ut italian të KFOR-it.
Gjatë takimit, Dr. Xharra falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe zgjerimin e këtij partneriteti në të ardhmen.
“Që nga vendosja e trupave të KFOR-it në Kosovë, në vitin 1999, Spitali i Përgjithshëm në Prizren ka qenë vazhdimisht pjesë e vizitave dhe mbështetjes nga ana e KFOR-it në përgjithësi, e atij italian në veçanti. Ne jemi thellësisht mirënjohës për kontributin e të gjithë ushtarëve italianë që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të KFOR-it, si dhe për shtetin italian për përkrahjen e ofruar në fusha të ndryshme. Kjo dëshmon përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të ndihmuar jo vetëm institucionin tonë, por edhe popullin e Kosovës në tërësi,” – u shpreh Dr. Xharra.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e KFOR-it italian theksuan se mbështetja e tyre ndaj institucioneve shëndetësore lokale dhe komuniteteve të Kosovës do të vazhdojë në përputhje me mandatin e tyre.
“Ne jemi këtu për të ndihmuar Kosovën dhe të gjitha komunitetet e saj. Do të vazhdojmë përkrahjen tonë në përputhje me mandatin që kemi, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe promovimit të zhvillimit dhe përmirësimit të mirëqenies të komuniteteve të Kosovës,” – theksuan përfaqësuesit e CIMIC-ut Italian të KFOR-it.
Në përmbyllje të takimit, të dy palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe u zotuan për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtij partneriteti në të ardhmen.
Lexo Komentet