Data: 28-04-2024 24 orë Emergjenca kontakto numrin +383 45 104 230

  • Drejtoria

    +383 29 243 134
  • Rruga Shkronjat

    20000, Prizren
  • Emaili

    spitali.prizren@rks-gov.net

Nderohet Dr. Sherif Krasniqi

Prizren, 8 shkurt 2024

Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa”në Prizren, të enjten, në amfiteatrin e Universitetit Publik “Ukshin Hoti” në Prizren, ka organizuar akademi përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e Dr. Sherif Krasniqi, kirurg i përgjithshëm, ku kanë marrë pjesë familjarë, miq, kolegë, bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë.

Akademia përkujtimore është organizuar nën kujdesin e drejtoreshës ekzekutive, Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, e cila në fjalimin e saj ka vlerësuar punën dhe profesionalizmin e Dr. Sherif Krasniqit.

 “Për aq kohë sa e kam njohur, doktor Sherifi  ishte njeri modest, i dashur, i afërt, kolegial dhe vizonar me virtyte të larta profesionale, kombëtare dhe njerëzore. Ai me kohë e kishte kuptuar se të jesh në shërbim të popullit tënd dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë edhe në kohët më të vështira  është detyrë profesionale, fisnike e humane. Jemi dëshmitar se doktor Sherifi ishte shembull i mjekut të përkushtuar për punë, ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe shërimin e plagëve në luftë dhe në paqe. Ai deri në momentet e fundit të punës aktive në spital ishte në kryerje të detyrës. Gjendja shëndetësore e doktor Sherifit  papritmas keqësohet në orët e para të datës 19 janar, duke qenë në detyrë të mjekut kujdestar në kirurgji dhe duke kryer tri intervenime kirurgjike para se gjendja e tij të keqësohej. Kjo dëshmon se Dr. Sherifi me përgjegjësi e përkushtim të madh kreu të gjitha detyrat dhe obligimet që kishte para vetes, duke dhënë shembullin e mjekut të respektuar nga të gjithë, në veçanti nga pacientët, të cilëve do t’i mungon më shumë”.

Dr. Eqrem Shala, ka folur në emër të repartit të kirurgjisë, me vlerësimin se Dr. Sherif Krasniqi ishte një bashkëpunëtor i shkëlqyer dhe i respektuar:

 “Ishte njeri miqësor, i ndershëm, human dhe profesionist i mirë. Nga duart e tij u shëruan shumë plagë si në luftë ashtu edhe në paqe. Si kirurg, doktor Sherifi kishte numrin më të madh të operimeve në repart, numrin më të madh të sistemimeve dhe njëkohësisht numrin më të madh të kujdestarive. Ishte plot energji, ishte i paarritshëm, ishte i pari”.

Dr. Hasan Arzoallxhiu, drejtor mjekësor, Dr. Sherifin e ka vlerësuar si shembullin më të mirë të raportit me pacient dhe kolegë të punës dhe që gjithmonë prioritet kishte shërbimin ndaj pacientëve.

“Dr. Sherif Krasniqin e kam njohur nga koha e studimeve dhe kam pasur mendim pozitiv për të. Por puna në spital dhe kontakti si koleg më ka mundësuar që ta njoh më shumë dhe më mirë atë. Ka qenë një njeri i mirë në kuptimin më të mirë të fjalës. I gatshëm gjithmonë për pacient dhe kolegët e tij e dinë më mirë se dera e tij ishte e vetmja derë që nuk ka refuzuar kërkesët e kolegëve për t’i zëvendësuar në kujdestari. Doktor Sherifi ishte dhe do të mbetet i pazëvendësueshëm për spitalin tonë”.

Figura e doktor Sherif Krasniqit është vlerësuar lartë edhe nga kolegu i punës, Dr. Shpend Zajmi. “Ishte njeri i veçantë, i dashur dhe i respektuar, duke dhënë një kontribut të madh në dimenzionin njerëzor, profesional e kombëtar”.

Isa Berisha, sekretar i Organizatës së Vetarëve të UÇK-së, dhe Zafir Berisha, ish bashkëluftëtar dhe komandant në Zonën e Vërrinit e kanë vlerësuan lartë figurën e Dr. Krasniqit, mjekut që nuk kurseu asgjë nga vetja për lirinë e Kosovës

Isa Berisha: ”Doktor Sherif Krasniqi ishte mjeku i parë në Zonën e Vërrinit që ju bashkua UÇK-së dhe ishte udhëheqës i spitalit ushtarak të UÇK-së me seli në fshatin Malësi e Vërrinit-Lubiqevë. Ai ishte pjesë e betejave e të ndryshme dhe pjesë e luftës së pandalshme. Ai u varros në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, aty ku pushojnë më të merituarit”.

Zafir Berisha: “Doktor Sherifi ishte njeri që ka bë shumë për këtë vend. Ishte njeri që nuk u ndal asnjëherë për t’i shërbyer lirisë së Kosovë. Ai shëroi plagët e luftës për të jetuar në liri. Liria e Kosovë nuk ka ardhur vetvetiu, por ajo është rezultat i përpjekjeve të shumë gjeneratave, që kulmoi me luftën e lavdishmne të UÇK-së, aty ku ishte edhe doktor Sherifi“.

Në emër të familjes ka falënderuar i biri, Valon Krasniqi:

“Falenderoj drejtorinë e spitalit  për këtë akademi, juve mjek, infermier dhe staf tjetër për angazhimin dhe që keni bë një punë të palodhshme në përkujdesjen për shëndetin e prindit tim edhe në fazat më të vështira deri në momentet e fundit të jetës së tij “.

Doktor Sherif Krasniqi ndërroi jetë në moshën 61 vjeçare, ndërsa me nderime ushtarake dhe qytetare është varrosur më 6 shkurt 2024 në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.

Lexo Komentet

Comments are closed.