Faqja fillestare
 

Spitali i Parë në Prizren

S.pare 1343.JPG

Muret e Manastririt të Vjetër

                                                      HISTORIKU I SPITALIT

Qyteti i Prizrenit ka traditë të lashtë mjekesore. Fillimisht shërbimet ishin të pakta dhe të nivelit të ulët. Institucioni i parë mjekësor në qytetin e Prizrenit u themelua në vitin 1343, në formë të një spitali të vogël me 12 shtretër, në afërsi të Manastirit të “Shën Angjelit”. Aty shëroheshin murgjit dhe murgeshat e Manastirit, ku punonte një mjek popullor, i ardhur nga Italia.

Gjatë periudhës së pushtimit otoman, mjekësia në qytetin e Prizrenit ka kaluar nëpër shumë faza të zhvillimit, ndërsa  shërimin zakonisht e  kryenin mjekët popullorë .

Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë të Stambollit, në Prizren filluan të vijnë mjekë të shkolluar, të cilët në fillim kryenin punët në shërbime shëndetësore ushtarake nga fusha e mjekësisë dhe e farmacisë.Mjeku i parë, i diplomuar në Fakultetin e Stambollit,  i cili erdhi në Prizren ishte Mehmet Efendiu, ndërsa mjeku i parë i shkolluar në Falultetin e Stambollit nga Prizreni ishte Avdyl Bakiu .

Spitali i parë për nevoja të popullatës në Prizren u hap në vitin 1871 dhe kishte një fond prej 100 shtretërish, i destinuar për shërimin e të sëmurëve nga sëmundjet infective, që shënoheshin si epidemi të asaj kohe.

Elektrifikimi i qytetit në vitin 1929 krijoi parakushte për një infrastrukturë më të volitshme për krijimin e shëbimeve të reja mjekësore, ndër to edhe sallën e vogël operative, e cila u hap në vitin 1930,  në të cilën kryheshin intervenimet e vogla kirurgjike. Si kirurgë të parë në Prizren kanë punuar Dr.Asim Kuleviq (punon deri në vitin 1936) dhe Dr.Ibrahim Dadiq, kirurg i cili ka zbatuar kirurgjinë universale (kirurgjia e përgjithshme, gjinekologjia) dhe operacionet i kryente me anestesione lokale, spinale dhe me anë të eterit.

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, në muajin shkurt 1944, në Spitalin e Prizrenit nga Durrësi vjen Dr. Luciano Matroni, kirurg nga Italia, i cili dha anjë kontribut të madh në edukimin e shumë breza të ardhshëm të mjekëve, të cilët punuan nëpër të gjitha qendrat e Kosoves. Duhet përmendur se në vitin 1966 në repartin e kirurgjisë vjen kirurgu i parë shqiptar, dr. Muhamet Guguli.

Në vitin 1946 formohet Shërbimi për Mbrojtje nga Tuberkulozi, që udhëhiqej nga doajeni i mjekësisë kosovare, Prim. Dr. Daut Mustafa. Përveç punës së palodhshme në shërimin e të sëmurëve, ai dha një kontribut të madh dhe të rëndësishëm në aftësimin e gjeneratave të reja të infermierëve, sidomos në periudhën nga viti 1948 deri më 1951.Gjatë punës së vet të palodhshme, Dr. Daut Mustafa për 8 vite ka udhëhequr edhe Spitalin e Prizrenit, periudhë në të cilën Spitali ka arritur një zhvillim si në infrastructure, po ashtu edhe në kuadër.

Rol të rëndësishëm në zhvillimin e spitalit kanë luajtur edhe veteranët e mjekësisë prizrenase: Dr.Reshat Opoja, Dr.Talat Gorani, Dr.Sherif Besimi (pediatri), Dr.Xhemal Hyseini (interno), Dr.Durak Rada, Dr.Salajdin Jagxhiu (krahëror), Dr.Xhelal Xhibo (infektologji), Dr.Durmish Celina (epidemiologji), Dr.Sylejman Arapi (oftamologji), Dr.Ramiz Krasniqi, Dr.Jëlldëze Gorani (gjinekologji), Dr.Emrush Sagdati ( radiologji) dhe shumë të tjerë.

Në periudhën prëj vitit 1991 deri në qershor të vitit 1999 Spitali i Prizrenit ishte nën masat e dhunshme të Qeverisë së Serbisë. Kjo periudhë ishte më e errëta e spitalit të Prizrenit, duke u shoqëruar me stagnime dhe probleme të shumta, si në kuadër po ashtu edhe në infrastrukturë. 

Në qershor të vitit 1999 vjen koha historike për spitalin e Prizrenit, si dhe gjithë Kosovës. Vjen liria e shumë pritur dhe rikthimi i personelit në spital, që me një entuziazëm të paparë dhe pa asnjë kompenzim rifillojnë punën në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për popullatën, e cila po rikthehej në shtëpitë e veta pas dëbimit që kishte bërë regjimi serb. Menjëherë formohen organet e para punëdrejtuese të spitalit, te cilat në kooperim me UNMIK-un dhe KFOR-in fillojnë organizimin e punës që ishte tepër e rëndësishme për të ardhmen e këtij spitali, më i vjetri në Kosovë.

Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit mbulon gjithsejt 21,9 % të hapësirës së përgjithshme të Kosovës, me  403,846 banorë të komunave: Prizren Dragash, Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Mamushë(të dhëna nga Agjencia e Statistikave të vitit 2013).

Aktualisht ka 730 të punësuar, prej tyre 169 mjekë specialistë, 438 infermierë ((bachelor, mësimdhënës, teknikë të farmacisë), si dhe 123 staf tjetër (administrative, teknike etj.) Ka 509 shtretër. Kompleksi spitalor përbëhet prej 7 objekteve spitalore me një sipërfaqe të përgjithshme prej 22.000 m², ku janë të vendosur repartet dhe shërbimet mjekësore, si dhe 2 objekte përcjellëse në një sipërfaqe prej 1.200 m² ku janë të vendosura shërbimet përcjellëse (lavatorja dhe ngrohtorja).